Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 20:55

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha i dërgoi të martën një telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin, në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë amerikanë.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në telegramin e tij të ngushëllimit, Kryeministri Berisha shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Më lejoni që në këtë moment dhimbjeje për familjet e viktimave, për ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore, si dhe ndjenjat më të thella të solidaritetit njerëzor të të gjithë qytetarëve të vendit tim. Shqiptarët ndajnë sot me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin e madh e mik amerikan, hidhërimin për këtë humbje të madhe dhe i bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të gjejnë paqen e amshuar”, thuhet në këtë mesazh ngushëllimi.