Shkodër – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të martën se vota e 8 majit do të shndërrohet për mbarë shqiptarët në një energji të madhe dhe të pandalshme zhvillimi.
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e urës së re mbi lumin Buna, në Shkodër. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kreu i Qeverisë, duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, premtoi se mbështetja plebishitare e qytetarëve do të shndërrohet në qindra dhe mijëra projekte, me të cilat do të ndërtohen kopshte, shkolla, rrugë, ujësjellës e kanalizime.
“Në të katër anët e këtij vendi, ne do të ndërtojmë standardet e një vendi të zhvilluar”, tha Kryeministri Berisha.
Duke u ndalur tek projektet në infrastrukturë ai theksoi se në një periudhë të shkurtër 18-mujore do të përfundojë autostrada Tiranë-Elbasan, do të nisë puna për autostradën Lezhë-Shkodër me katër korsi, si dhe do të fillojnë punimet e tunelit për rrugën e Arbrit, në mënyrë që Shqipëria brenda katër viteve që vijnë të ketë një rrjet rrugor që do të bëjë krenar çdo shqiptar.
Urën e re të lumi Buna z. Berisha e konsideroi një vepër të madhe, me një sistem modern të hapjes, që në vitet që vijnë do ta bëjë këtë lumë të lundrueshëm dhe që t’u ofrojë turistëve në këtë rajon një prej hyrjeve turistike më të bukura.
Ura e re, me gjatësi 275. 5 metra dhe gjerësi 13.5 metra, është një investim mbi 7 milionë dollarë, i standardeve më moderne. Ura ka një mbistrukturë metalike të lëvizshme, me gjatësi 75 metra dhe përbëhet nga konstruksioni mekanik dhe ai elektromekanik. Hapja dhe mbyllja e urës, që lejon kalimin e mjeteve lundruese, përbëhet nga dy sisteme elektromekanike me kohëzgjatje deri në 8 minuta dhe një manual me kohëzgjatje 15 minuta.
Tuesday, 24 May 2011 19:50