Mitrovicë – Serbët kanë bllokuar të martën magjistralen Zubin Potok-Bërnjakë, përkatësisht “Gate 31”, ndërkohë që një grup tjetër serbësh ka bllokuar magjistralen e Ibrit në fshatin Rudare të Komunës së Zveçanit.
Ata kundërshtojnë mbajtjen e ushtrimeve ushtarake të paralajmëruara nga KFOR-i dhe EULEX-i. Radio “Kollashini” që nga mëngjesi është duke u bërë thirrje banorëve të Zubin Potokut dhe fshatrave përreth që në numër sa më të madh të dalin në këtë protestë.
Në Rudare, të Zveçanit, serbët kanë bllokuar rrugën duke kërkuar lirimin e Jevro Panteliqit, i cili ditë më parë është arrestuar nga njësitë e policisë së EULEX-it.
Bëhet e ditur se situata është e tensionuar, ndërkohë që janë parë edhe forca të KFOR-it në numër të shtuar.
Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti ka thënë se në veri të vendit grupe serbësh kanë bllokuar magjistralen e Adriatikut në Zubin Potok, si dhe magjistralen e Ibrit në Zveçan.
KMDLNj, gjithashtu, është informuar se deri më tani gjendja shëndetësore e grevistëve është stabile.
KMDLNj në njoftimin për media thekson se e përkrahë miratimin e Ligjit për Amnisti.
Tuesday, 24 May 2011 16:35