Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 16:26

Prishtinë – Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin, Ivo Banac, ka thënë se me çështjet e pazgjidhura në Ballkan nuk duhet të merret vetëm diplomacia evropiane, meqë ajo ka dëshmuar se po e përdorë politikën e zbutjes së faktorëve që kanë krijuar “situatën kaotike në Ballkan”.

Në një intervistë për Evropën e Lirë, ligjëruesi në Universitetin Yale ka theksuar se ndarja duhet të përjashtohet dhe ajo është një shenjë për përmasat e mosdorëzimit të autoriteteve serbe, lidhur me një varg skenarësh që janë të dëmshëm, jo vetëm për të ardhmen e Kosovës, por për tërë rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, ka një tendencë të rrezikshme për të imagjinuar se Kosova do të ishte më e sigurt nëse nuk do ta kishte problemin me veriun.

“Pra, mendohet që ajo pjesë të shkëmbehet ndoshta me disa zona të Serbisë, e ndoshta me ndonjë marrëveshje më të qëndrueshme me Serbinë. Mendoj se kjo nuk duhet të bëhet, sepse, pos tjerash, do të mund ta delegjitimonte deri në një masë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Banac.