Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 15:00

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se konfirmimi i të ardhmes evropiane të Kosovës ende nuk është i mjaftueshëm, edhe pse ky vjen nga të gjitha nivelet.

Në takimin e radhës të Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, kryeministri Thaçi ka vënë fokusin të punët që janë kryer për sa i përket agjendës së integrimit.

Ai foli për platformën e miratuar nga Qeveria dhe kriteret e përmbushura për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave ndërsa shtoi se agjenda evropiane është prioriteti numër një i Kosovës. Gjithashtu ai tha se destinacioni i vetëm i Kosovës është Bashkimi Evropian.

Megjithëkëtë, kryeministri Thaçi tha se shpreson që Kosova këtë viti të vendos marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Më tej ai është ndalur te Raporti i Progresit të këtij viti për të cilin Kosova ka edhe 3 muaj kohët për të zhvilluar reforma dhe miratimin e ligjeve që janë paraparë me agjendën evropiane. Ndërsa si çështje urgjente e ka konsideruar funksionalizimin e departamenteve për integrim përbrenda ministrive.

Kryeministri Thaçi tha se gjatë javëve në vijim do të ketë një koordinim me të gjithë faktorët relevantë në Kuvendin e Kosovës, me qëllim të konsolidimit të rrugës drejt integrimit.