Prishtinë – Në lagjen Prishtina e Re në Hajvali, në periferi të kryeqytetit, do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, për të cilin Qeveria e Kosovës dhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian nënshkruan sot dy kontrata pune.
“Komisioni Evropian ka premtuar mbi 25 milionë euro për realizimin e këtij projekti”, tha Kjartan Björnsson, shef i Operacioneve në Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.
Ai bëri të ditur s’e infrastruktura e re do të lejojë që institucionet kryesore të drejtësisë, duke përfshirë edhe ato që janë të shpërndara në të gjithë Prishtinën, të vendosen nën të njëjtën çati.
“Kjo do të përmirësojë sundimin e ligjit në aspektin cilësor dhe sasior dhe në këtë mënyrë do të rrisë efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Komisioni Evropian ka kënaqësinë të ndihmojë në përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian “, theksoi Björnsson.
Zv/kryeministri e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se ligji dhe rendi janë prioritet i Kosovës.
“Pallati i Drejtësisë është një parakusht për funksionim më të mirë të sistemit ligjor në Kosovë dhe përfaqëson identitetin dhe krenarinë e këtij sistemi, për këtë ne i jemi mirënjohës Komisionit Evropian dhe presim të realizohen gjykime të drejta dhe do të ndërtohet një sistem i standardeve Evropian, përmes së cilit kredibiliteti i ligjit dhe drejtësisë do të rritet”, theksoi ai.
Ndërsa, Mahir Yagcilar, ministri i Administratës Publike siguroi s’e ministria që ai drejton, në pajtim me përgjegjësitë e saj, do të jetë një partner serioz përgjatë rrugëtimit të përbashkët për krijimin e ndërtimin e premisave moderne dhe funksionale për të gjitha institucionet në Kosovë, posaçërisht në sektorin e drejtësisë.
“Ne mbetemi të angazhuar, që në pajtim me prioritetet e qeverisë së Kosovës, të forcojmë bashkëpunimin tonë”, tha ai.
Zona e Pallatit të Drejtësisë është përcaktuar rreth katër kilometra prej qendrës së Prishtinës. Përveç pjesëve rezidenciale, komerciale dhe sportive, kjo zonë është vlerësuar si zona e ardhme për zhvendosjen e Kuvendit, ministrive kryesore si dhe të departamenteve qeveritare.
Tuesday, 24 May 2011 13:58