Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 07:52

Shkodër – Ura e Re e Bunës, në të hyrë të Shkodrës, punimet e të cilës tashmë kanë përfunduar, pritet të nisë sot funksionimi zyrtar i saj, me një ceremoni, ku pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.

Specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë kryer testet profesionale për qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve lundruese, duke vënë në funksionim edhe pjesën e lëvizshme metalike, bëri të ditur për ATSH-në zyra e shtypit e Bashkisë së Shkodrës.

Me përurimin e kësaj ure, që konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë për rajonin verior, komunikimi me Malin e Zi e përmes tij, me perëndimin bëhet shumë më komod.

Deri tani, komunikimi me Pikën Doganore të Muriqanit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, është bërë përmes Urës së vjetër të Bunës, e cila duke funksionuar vetëm me një kalim, sidomos në pikun e sezonit turistik, ka qenë mjaft problematike për qarkullimin e automjeteve.

Ndërtimi i Urës së re të Bunës, një investim i qeverisë në bashkëpunim me Bankën Islamike në shumën prej rreth 7,2 milion, usd ka gjatësi 275 metra, ku pjesa metalike e lëvizshme me peshë 800 ton është 75 metra dhe 200 metrat e tjera janë pjesë betonarme. Ura ka gjerësi 14 metra, ndërsa në dy krahët, trotuare me dy metra gjerësi, parmakë dekorativë dhe mbrojtës, ndriçim.

Në dy pjesët hyrëse janë vendosur tabelat informuese për destinacionet e akseve rrugore dhe shërbime të tjera meteorologjike, etj, ndërsa rrëzë kalasë Rozafat dhe në anën e aksit rrugor Shkodër-Muriqan janë ndërtuar rreth-rrotullime, që lehtësojnë dhe disiplinojnë trafikun e automjeteve.