Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 14:17

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, të mërkurën do ta vizitojë Malin e Zi, me ftesë të zv/kryeministrit dhe ministrit malazez të Drejtësisë, Dushko Markoviç.

Gjatë kësaj vizite, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë kosovare të Drejtësisë, zv/kryeministri Kuçi do të takohet në Podgoricë me homologun e tij Markoviç, me të cilin do të bisedojë për finalizimin e marrëveshjeve për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale (marrëveshjen për ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe bashkëpunim gjyqësor në çështje penale).

Ministri Kuçi dhe shoqëruesit në këtë vizitë, kryetari i Këshillit Prokurorial, njëherësh kryeprokuror i Kosovës, Ismet Kabashi, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, do të priten në takim edhe nga kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica.