Prishtinë – Komuna e Prishtinës pret të marrë grandin qeveritar në përputhje me nevojat e saj. Zyrtarët thonë se ndarja e grandit nuk duhet të varet nga shifra preliminare të regjistrimit të popullsisë në kryeqytet, që ka dalë shumë më e ulët se sa është menduar.
Të dhënat e para të regjistrimit të popullsisë në kryeqytet tregojnë se në Prishtinë janë rreth 250 mijë banorë. Kjo do të thotë se prej vitit të ardhshëm qeveria do të ndajë grande vetëm për këtë numër banorësh, e jo siç ka qenë deri tani, për rreth 380 mijë banorë. Zëdhënësi i komunës, Muhamet Gashi thotë se nevojat e kryeqytetit janë shumë më të mëdha, në krahasim me komunat e tjera.
“Komuna e Prishtinës nuk pret ulje të grandit qeveritar, po përkundrazi ajo pret që niveli qendror për buxhetin e vitit të ardhshëm për vitin 2012, të shtojë grandin për kryeqytet, meqë nevojat, në krahasim me komunat e tjera, janë shumë më të mëdha”, tha Gashi, duke shtuar se duhet të priten rezultatet përfundimtare të numrit të banorëve.
Zyrtarë të Institutit për Studime të Avancuara, GAP, në bazë të statistikave të para, thonë se komuna e Prishtinës rrezikon të ketë buxhet të përgjysmuar. Grandi qeveritar për komunën e Prishtinës për këtë vit ka qenë 39 milionë e 311 mijë e 797 euro, duke përfshirë këtu edhe shumën për pagat dhe mëditje.
Monday, 23 May 2011 12:17