Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 16:52

Prishtinë – Parlamenti Evropian mbështet të ardhmen evropiane të Kosovës, tha sot në Prishtinë kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, në përfundim të takimit të 4 – të ndërparlamentar Parlamenti Evropian – Kosova.

Ai shtoi se në këtë frymë u theksua nevoja që Bashkimi Evropian të shtrojë rrugën dhe të përcaktojë kushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.

“Në këtë frymë rëndësi shumë të madhe ka nisja e reformave, në bazë të të cilave do të krijohej një jetë më e mirë për qytetarët, siç është ulja e papunësisë, si dhe zgjidhja e problemeve të tjera jetësore për popullin e Kosovës , sepse kjo është detyrë e politikanëve, pra t’u shërbejnë qytetarëve të tyre, dhe kjo duhet të kihet gjithnjë parasysh kur flitet për liberalizimin e vizave, reformën zgjedhore, luftën kundër korrupsionit dhe për të gjitha çështjet tjera”, tha Kukan.

Ai shprehu kënaqësinë për gatishmërinë e treguar nga ana e përfaqësuesve vendorë për vazhdimin e këtyre reformave.

“Nga Kosova po largohemi me një ndjenjë të mirë, kishim një takim shumë të dobishëm e të frytshëm, i cili do të japë rezultate”, theksoi kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu kënaqësinë për përmbajtjen e takimit, për përfundimet që u nxorën dhe për deklaratën e përbashkët që u miratua.

Ky takim, tha Krasniqi, rikonfirmoi edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Evropian, qëndrimin e qartë dhe të avancuar që ka ai ndaj Kosovës dhe për mbështetjen e pakursyer që BE po vazhdon t’ i japë Kosovës.

Sot, në sesionin e dytë të takimit të 4 – t ndërparlamentar Parlamenti Evropian – Kosova u bisedua për perspektiven ekonomike dhe sociale në kohën e krizës, për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin më të gjerë rajonal.