Tetovë – Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga qëndroi të premten për vizitë në qytetin e Tetovës, mësohet nga burime jozyrtare nga kjo parti.
Gjatë kësaj vizite, presidentja e Kosovës, ka realizuar takim me zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Sipas informacioneve, presidentja Jahjaga është pritur nga nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, deputetja Ermira Mehmeti dhe sekretari organizativ, Hazbi Lika.
Sipas burimit të njëjtë, temë diskutimi në këtë takim ishte situata aktuale politike në rajon dhe Maqedoni, sidomos, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 5 qershorit.
Nuk dihet nëse presidentja e Kosovës do të takohet edhe me përfaqësues të partive opozitare.
Vizita e presidentes së Kosovës në Maqedoni mund të llogaritet si vizitë private, pasi që nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar se ajo do të vijë për vizitë në qytetin e Tetovës, ndërkohë që vizita po ndodhë gjatë atmosferës parazgjedhore në Maqedoni.
Friday, 20 May 2011 20:39