Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 19:33

Uashington – SHBA kundërshtojnë ndarjen e Kosovës. Drejtoresha e Seksionit për Evropën Juglindore në Departamentin amerikan të Shtetit, Xhenifer Brash, ka deklaruar se SHBA-të e kundërshtojnë ndarjen e Kosovës dhe konsiderojnë se kjo ide është joreale dhe e rrezikshme.

Zyrtarja amerikane u ka thënë gazetarëve nga Serbia, në Uashington, se idetë për ndarjen e territoreve sipas parimit etnik janë të rrezikshme, duke shtuar se çështja e ndarjes së Kosovës është bërë e kotë prej se Kosova shpalli pavarësinë.

“Kosovën e kanë njohur 75 vende dhe plotësisht jam e sigurt se autoritetet e Kosovës kurrë nuk do të pranojnë idenë për çfarëdo ndarjeje”, ka thënë Xhenifer Brash dhe ka shprehur habinë që në Serbi flitet fare për këtë mundësi.

Zyrtarja amerikane ka vlerësuar se prioritet duhet të jetë diaologu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ka shprehur pritjet që bisedimet që po zhvillohen do të japin rezultate të mira.