Prishtinë – Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, ka thënë se Bashkimi Evropian i jep mbështetje të plotë misionit EULEX në Kosovë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa inkurajoi që institucionet e Kosovës ta bëjnë të njëjtën gjë.
Barroso i bëri këto komente gjatë takimit me presidenten Jahjaga. Ai tha se Kosova tash e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme, në veçanti, reformat në fushën e sundimit të ligjit.
“Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave”, ka thënë Barroso.
Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-se i kushtojnë rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke cekur se normalizimi i marrëdhënieve të fqinjësisë është një prej kushteve themelore në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Ndërsa, presidentja Jahjaga konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën evropiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në.
“Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të ndihmonte agjendën evropiane të Kosovës dhe reformat e brendshme”, ka thënë Jahjaga. Presidentja shtoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të ligjit zgjedhor do të vazhdojë. Ajo konfirmoi se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.
Barroso dhe Jahjaga u pajtuan se në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e agjendës evropiane nga ana e institucioneve të Kosovës. Në fund Barroso e ftoi presidenten Jahjaga në vizitë zyrtare në Bruksel, njofton Zyra e informacionit pranë Presidencës.
Friday, 20 May 2011 18:42