Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 12:42

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi të premten një takim me Kryetarin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit, ku theksoi faktin se partitë politike duhet të respektojnë instituconet e pavarura.

Duke u ndalur në situatën paszgjedhore në vend, Presidenti Topi ritheksoi edhe në këtë takim se “partitë politike duhet të respektojnë institucionet e pavarura, pasi shteti i së drejtës, shteti demokratik forcohet nëpërmjet konsolidimit të institucioneve të pavarura, të cilat zbatojnë në çdo hap vetëm ligjin dhe Kushtetutën”.

Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në dukje se edhe OSBE/ODHIR-i, në prag të nxjerrjes së raportit të ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 8 majit, duhet të vazhdojë të japë kontributin dhe ndihmesën e saj të vyer, në zgjidhjen ligjore e institucionale të situatës si dhe në përmirësimin e Kodit Zgjedhor aktual.

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe përpjekjet e OSBE-së, për konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe demokratizimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi se “shprehja e maturisë, e ruajtjes së qetësisë dhe zbatimit me rigorozitet i ligjeve në fuqi e Kodit Zgjedhor në veçanti, mbetet me rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë”, duke shtuar se “institucioni i administrimit të zgjedhjeve duhet të ketë në themel të punës së tij vetëm respektimin e ligjit”.

Kryetari i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit falenderoi për pritjen e rezervuar dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm konstruktiv e moderator të Presidentit Topi, në të gjithë këtë proces. Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm në funksion të arritjes së standardeve demokratike perëndimore nga ana e Shqipërisë, përsa u përket zgjedhjeve të lira, të drejta e të ndershme.