Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 16:58

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi reagoi sot ndaj njoftimit për shtyrjen vizitës së Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, në vendin tonë, duke e cilësuar këtë “zhvillim jo të këndshëm dhe shans të vonuar për Shqipërinë”.

Drejtoria e Informimit Publik në Presidencë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, thekson se “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi deklaron se shtyrja e vizitës së Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, është një zhvillim jo i këndshëm dhe një shans i vonuar për Shqipërinë”.

“Zoti Barrozo ka qenë dhe është një mbështetës i Shqipërisë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit dhe vizita e tij pritej të konfirmonte një fazë të re afrimi të vendit tonë me Bashkimin Evropian”, shprehet Presidenti.

Kreu i Shtetit vlerëson se “zhvillimet e fundit politike dhe post-zgjedhore në Tiranë dhanë sinjalin e gabuar dhe duket se u bënë pengesë për realizimin e kësaj vizite të mirëpritur e me vlera historike për popullin shqiptar. Përgjegjësia kryesore për vonesën e kësaj mundësie bie direkt mbi partitë kryesore politike, udhëheqjen, militantët dhe sjelljen e tyre”.

“Në këto çaste të vështira politike, thirrja dhe apeli i Kryetarit të Shtetit, dhe i shumicës së qytetarëve të këtij vendi, është rikthimi i normalitetit demokratik, mbizotërimi i interesave publike mbi ato partiake, maturia dhe përgjegjësia për të dëshmuar aftësi udhëheqëse në gjetjen e rrugëve ligjore e demokratike të zgjidhjes së problemeve të krijuara!”, përfundon deklarata për shtyp e Presidencës.