Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 14:22

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi tha se  kontrata për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” e publikuar ditë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është versioni final i saj.

Kryeministri Hashim Thaçi tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se kontrata me konsorciumin Bektel Enka e publikuar ditë më parë nga lëvizja Vetëvendosje nuk është versioni final. Thaçi siguroi ligjvënësit se transparenca financiare e projektit është e plotë dhe se gjitha shpenzimet deri në detaje janë të përfshira në ligjet përkatëse për buxhetin.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje përmes Visar Ymerit kërkoi që kontrata origjinale e qeverisë me kompaninë “Bektel&Enka” të bëhet publike.

Në përgjigje kryeministri Hashim Thaçi ka shkuar më tej me akuzat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se kundërshtimet për autostradën bëhen nga ata që kanë kundërshtuar edhe dokumentet që sollën lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme përveç tjerash do të shqyrtojë edhe raportin financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010 si dhe do të mbajë debat për masakrën e Burgut të Dubravës.