Tiranë – Nxjerrja e një urdhri ekzekutimi nga Gjykata e Tiranës kërkon mesatarisht 173 ditë. Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga vetë gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, urdhrat e ekzekutimit, që në teori duhet të jenë ndër çështjet më të thjeshta, realisht rezultojnë ndër më të zgjaturat në trajtimin e tyre.
Ndonëse nuk ekzistojnë statistika të veçanta, pjesa më e madhe e kërkesave për urdhra ekzekutimi vijnë nga bankat dhe institucionet e tjera financiare dhe kanë si objekt ekzekutimin e garancisë të lënë nga kredimarrësit për kreditë e pashlyera.
Gjithmonë duke ju referuar statistikave të Gjykatës së Tiranës, që nga fillimi i këtij viti, në më pak se pesë muaj janë paraqitur 2620 kërkesa për nxjerrje të urdhërit të ekzekutimit.
Ndërkohë, paditë për kundërshtim të veprimit përmbarimor janë 326 që nga fillimi i vitit 2011. Statistikat tregojnë se për rreth 36% të këtyre kërkesave kohëzgjatja e gjykimit shkon më shumë se gjashtë muaj.
Këto të dhëna tregojnë se një bankë duhet të presë mesatarisht gjashtë muaj për të mund të ushtruar një të drejtë të parashikuar shprehimisht në kontratën e kredisë, pa llogaritur kohën shtesë që duhet për përmbushjen e procedurave përmbarimore.
E gjithë kjo kohë e humbur përkthehet në kosto. Kosto operative, kosto personeli, kosto provigjionesh. Këto kosto shtesë bankat detyrohen t’jua bartin kredimarrësve, në formën e interesave më të larta për kreditë; pa llogaritur kufizimet e mëdha që zvarritja e ekzekutimit sjell në dhënien e kredive të reja.
Keqfunksionimi i sistemit të drejtësisë ngelet një nga problemet më serioze për shoqërinë shqiptare. Në çështjet e ekzekutimit të kolateralit, kostot dhe pasojat kanë edhe një shtrirje më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse. Zvarritjet dhe vlerësimet e padrejta në këtë rast prekin interesat e sistemit bankar, të individëve që kanë depozituar kursimet e tyre aty dhe ç’është më e rëndësishme, prekin rëndë performancën e ekonomisë së vendit.
Thursday, 19 May 2011 14:05