Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 17:36

Mitrovicë – Kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq ka konfirmuar se është arrestuar Jevro Panteliq nga Veli Bregu i Zubin Potokut.
Ai shtoi se nëse është e vërtetë se arrestimi i tij ka të bëjë me shmangie të tatimit, atëherë kjo është e papranueshme.
“Për ne kriminelë janë ata të cilët shesin drogë e armë dhe kërcënojnë sigurinë, ndërsa të tillë në Kollashinin e Ibrit nuk ka”, tha Ristiq, duke shtuar se për serbët është e papranueshme t’i paguajnë tatim shtetit të Kosovës.
Sipas tij, që nga viti 2008 është marrë qëndrim unik i qeverisjes lokale të komunave veriore, që taksat të mos i paguhen shtetit të cilin pushteti i Beogradit nuk e ka pranuar.
”Aksione të tilla të EULEX-it dhe KFOR-it kanë për qëllim t’i detyrojnë serbët të pranojnë Kosovën si shtet të pavarur, dhe nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë që një ditë të na arrestojnë edhe fshatarët nëpër arat e tyre për mos pagesë të tatimit të bujqësisë”, ka thënë Ristiq.