Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 17:32

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se procedurat ndaj kriminelëve nuk kanë pardon, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë dhe në cilën pjesë të Kosovës ndodhen ata.
Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që ka zhvilluar në Portën 3 në Mendarë, së bashku me shefin e misionit të EULEX-it, Ksavier de Marnak, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi dhe shefin e komponentës se Policisë se EULEX-it.
Policia ekzekutive e EULEX-it ka arrestuar Jevresije Panteliq në pjesën veriore të Kosovës, i cili dyshohet të jetë përfshirë në krim të organizuar. Ai është arrestuar në kuadër të disa hetimeve rreth krimit të organizuar, si pastrimit të parave, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe të akcizës.
Ndërkaq, në lidhje me këtë, ministri Rexhepi ka përshëndetur operacion e suksesshëm që kanë pasur të bëjë me arrestimin e Jevresije Panteliq.
Kurse, shefi i misionit të EULEX-it, Ksavier de Marnak, duke mos komentuar gjatë rastin e arrestimit të sotëm, është zotuar se misioni që ai drejton do të bëjë përpjeke që të luftojë krimin e organizuar në Kosovë.
“Si zakonisht sipas ligjit, një gjykatës ka kërkuar qe ta bëjmë arrestimin e tij. Pra nuk do komentoj për rastin dhe çfarë është, besoj se kjo i përket një gjykatësi, por kjo është një gatishmëri e vazhdueshme nga ana e EULEX-it për te gjetur cakun e krimit te organizuar në gjithë territorin e Kosovës dhe kur kemi raste të mira ne thjesht bëjmë punën tonë”, tha Marnak.
Ndërsa sipas një komunikatë të EULEX-it, arrestimi i sotëm i Jevresije Panteliq, ka ndodhur pas autorizimit nga një gjykatës i procedurës paraprake, është bërë edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit në Zubin Potok. Për sigurinë e përgjithshme gjatë operacionit është përkujdesur KFOR-i.  Hetimet po zhvillohen nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it, i Prokurorisë Speciale të Kosovës.