Prishtinë – Dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë vazhdon sot dhe nesër në raundin e katërt, në Bruksel, ku edhe ka filluar më 8 mars.
Sipas burimeve zyrtare nga qeveria e Kosovës, në fokus të raundit të katërt të dialogut do të jetë vazhdimi i bisedimeve për temat e trajtuara gjatë raundeve të kaluara, regjistrat civilë dhe kadastralë, telekomunikacioni, energjia, vulat doganore, liria e lëvizjes dhe diplomat shkollore.
Në këtë raund do të hapen edhe dy tema të reja, ajo e trashëgimisë kulturore dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve.
“Edhe në këtë raund, sikurse edhe në tri raundet e kaluara të dialogut teknik, delegacioni i Republikës së Kosovës do të shpalosë dhe mbrojë qëndrimet e veta, të cilat janë në harmoni me Kushtetutën, ligjet, rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, theksohet në komunikatën e dhënë pak më parë.
Delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i prin zv/kryeministrja Edita Tahiri.
Midis raundit të tretë dhe të katërt, në Prishtinë ka qëndruar më 4 maj ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun teknik, Robert Cooper, ndërsa më 12 maj, për herë të parë, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë në dialogun teknik me Kosovën, Borko Stefanoviç, i cili në kryeqytetin kosovar takoi ndaras zv/kryeministrin Hajredin Kuçi dhe udhëheqësen e delegacionit të Kosovës, zv/kryeministren Edita Tahiri.
Zv/kryeministrja Tahiri, në vazhdën e përgatitjeve për raundin e katërt të bisedimeve teknike në mes Kosovës dhe Serbisë priti javën e kaluar në Prishtinë, Andras Riedlmayer, ekspert i trashëgimisë kulturore nga Universiteti amerikan i Harvardit, si dhe Edi Shukriun, kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Sipas njoftimit zyrtar nga ai takim, temë qendrore ishte çështja e dëmeve të luftës në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Me këtë rast, znj.Tahiri falënderoi ekspertin nga shteti i Amerikës, i cili që nga viti 1999 ishte i angazhuar në Kosovë në çështjet e trashëgimisë kulturore. Ajo vlerësoi se ataku sistematik ndaj identitetit dhe trashëgimisë kulturore në kohë luftërash është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe politikat e civilizimit global.
Zoti Riedlmayer njoftoi zv/kryeministren për studimet dhe gjetjet e tij në fushën e dëmeve që i janë bërë trashëgimisë kulturore dhe fetare gjatë periudhës së luftës si dhe angazhimet për stabilizimin emergjent të dëmeve dhe restaurimin e disa prej monumenteve të rëndësishme në Kosovë. Eksperti i Harvardit shprehu gatishmërinë për të dhënë këshillat dhe eksperiencat e tij në fushën e trashëgimisë kulturore.
Tuesday, 17 May 2011 12:18