Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 16:22

Shkup – Marrëveshja për zgjedhje të lira dhe demokratike e nënshkruar nga krerët e dy partive më të mëdha politike shqiptare Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, sipas ekspertëve kësaj here do realizohet edhe praktikisht. Sipas tyre kështu do të ndodhë pasi që pas saj qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimi Evropian (BE) dhe Tirana zyrtare. “Mendoj se këtë radhë duke marrë parasysh se garanci e këtij ‘Pakti Elektoral’ janë SHBA-të, BE-ja dhe Qeveria shqiptare nëpërmjet ambasadorit të saj, nuk vlerësoj se liderët do të jenë aq të papërgjegjshëm dhe të shkelin atë që kanë nënshkruar”, ka thënë analisti politik Albert Musliu. Sipas tij, fushata parazgjedhore do të kalojë në atmosferë të qetë dhe se gjatë ditës së votimit mund të ketë incidente të vogla por të izoluara. “Ky pakt mendoj se është i realizueshëm. Gjatë fushatës do të kemi fushatë të qetë edhe verbalisht edhe fizikisht. Mund të ketë incidente të izoluara por nuk do të zbehin procesin zgjedhor dhe paktin e nënshkruar. Mendoj se tensioni do të transferohet te pala maqedonase”, ka thënë Musliu. Profesori universitar Sefer Tahiri vlerëson se Pakti elektoral i arritur është një nismë e mbarë dhe për këtë duhet çmuar lartë angazhimin e ambasadorit të Shqipërisë, Arben Çejku, i cili ndërgjegjësoi në momentin më të duhur liderët shqiptarë për të pasur zgjedhje korrekte dhe demokratike. “Një marrëveshje e tillë ishte e domosdoshme, pas akuzave të ndërsjella që u bënë nga të dyja palët. Konsideroj se do të jetë i zbatueshëm, jo pse partitë kanë kapacitet demokratik, por se për këtë janë zotuar para komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri. Ai konsideron se këtë nismë duhet ta nënshkruajnë edhe partitë tjera politike. “Është nismë që duhet të zgjerohet edhe me firmosjen e kryetarëve të partive tjera shqiptare. Konsiderojë se të paktën do të vendosen rregullat demokratike në debatin zgjedhor midis dy partive dhe mbi të gjitha do të ndikojë tek partitë politike t’i qetësojnë grupet e armatosur apo falangat partiake që aktivizohen në zgjedhje për interes financiare”, ka potencuar Tahiri. Ndërkaq analisti politik Albert Hani ka thënë se Pakti elektoral, Ahmeti-Thaçi është për t’u përshëndetur, por duhet të jetë më gjithëpërfshirës. “Çdo komunikim midis dy partive më të mëdha politike në vend është për t’u përshëndetur. Marrëveshja do të kishte më shumë legjitimitet nëse në të kyçeshin edhe partitë tjera”, theksoi Hani. Ai nënvizoi se kësaj here nuk pritet të ketë tensione në mesin e shqiptarëve. Vlen të theksohet se më 12 maj Instituti Amerikan për Demokraci do të organizojë nënshkrimin e një Pakti elektoral me të gjitha partitë politike në Maqedoni, me të cilën të njëjtat do të obligohen për zgjedhje të lira dhe demokratike.