Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 17:29

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e vlerësoi si një lajm të mirë faktin që dy partitë më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni kanë arritur një marrëveshje për bashkërendim dhe bashkëveprim, në lidhje me zgjedhjet parlamentare që mbahen më 5 qershor 2011.

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në deklaratën për mediat, Presidentja shprehet se “e çmojmë lartë përgjegjësinë e të dy udhëheqësve, Ali Ahmetit të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Menduh Thaçit të Partisë Demokratike Shqiptare, të cilët për hir të interesave kombëtare, qytetare dhe shtetërore u vunë mbi interesat partiake dhe bënë një veprim, i cili është në të mirën jo vetëm të popullit shqiptar në Maqedoni, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa dallim kombëtar dhe fetar”.

Jahjaga vlerëson se marrëveshja mes dy forcave politike është në interes të shtetit të Maqedonisë, të stabilitetit dhe të prosperitetit të tij dhe të paqes e të bashkëpunimit në rajon.

“Urojmë që marrëveshjet e tilla, jo vetëm ndërmjet subjekteve politike shqiptare, por edhe të faktorëve të tjerë politikë maqedonas, të ndihmojnë harmonizimin e qëndrimeve, duke pasur parasysh gjithmonë interesin e qytetarëve, dinjitetin e tyre dhe të ardhmen e tyre në rrugën e integrimeve euroatlantike, që do të forcohen me procesin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Maqedoni”, përfundon deklarata e Presidentes Jahjaga.