Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 15:56

Durrës – Një grup ushtarakësh dhe mjaft automjete të kontigjentit ushtarak italian të NATO-s kanë mbërritur sot paradite me anije në portin e Durrësit, për të vijuar më pas drejt Kosovës.

Burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit portual bënë të ditur në se anija e specializuar Maior ka sjellë nga Italia në Durrës 17 automjete dhe 7 konteinerë, të cilët bashkë me një grup ushtarakësh do të vijojnë më pas udhëtimin në rrugë tokësore drejt Kosovës.

Ndërkaq, 90 automjete dhe 81 konteinerë të tjerë me materiale ushtarake, që vinin nga Kosova, po ngarkohen në kuvertën e anijes.

Sipas burimeve portuale, përpunimi i anijes Maior po realizohet për llogari të ministrisë së Mbrojtjes së Italisë dhe Autoriteti portual ka siguruar një zonë shërbimi në dispozicion të ngarkimit dhe shkarkimit të mjeteve në kalatat përkatëse.

Sot në mbrëmje anija Maior do të lundrojë drejt portit të Civita Vecchias (Itali).Që nga marsi i vitit 1999 porti i Durrësit është shfrytëzuar masivisht për transportet italiane, fillimisht për emergjencën humanitare në favor të popullsisë kosovare të dëbuar drejt Shqipërisë dhe më pas për misionet ushtarake në kuadër të forcave të NATO-s.