Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 10:38

Prishtinë – Fuqizimi i rolit të Kuvendit është parim themelor për funksionimin e institucioneve shtetërore. Kuvendi duhet të kontrollojë dhe të mbikqëyrë sidomos punën e qeverisë, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e procesit të integrimit evropian.

Kështu tha sot ministri për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik te Gjermanisë, Dirk Niebel, pas një takimi që pati me kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Por, Nibel tha se parlamentët e vendeve që kalojnë periudha tranzicioni kanë nevojë për mbështetje.

“Përforcimi i punë së Parlamentit dhe përforcimi I punës së komisionit për buxhet dhe financa, është një parakusht për proceset e tjera të integrimit, dhe pikërisht janë detyrat e kontrollit dhe të mbikëqyrjes së parlamentit ndaj punës qeveritare, një ndër parakushtet thelbësore që duhet plotësuar, për tu bashkuar kah orientimi i vlerave evropiane”, ka thënë ai.

Ndërsa kryeparlamentari Jakup Krasniqi çmoi mbështetjen e qeverisë gjermane, duke e cilësuar Gjermaninë si një ndër partnerët më strategjikë të Kosovës.

Nga ana tjetër ministri gjerman Dirk Niebel tha se vendi i tij do të mund të bashkëpunonte me Kosovën edhe rreth punësimit të kosovarëve kohë pas kohe. Por, tash për tash, tha ai Gjermania nuk është e gatshme të pranojë punëtorë sezonalë, për shkak se Kosova ende nuk është njohur nga disa vendet të Bashkimit Evropian.

Delegacioni nga Gjermania është pritur edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.