Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 17:27

Tiranë – Të pandehurit e çështjes “Gërdeci” janë shprehur kundër përgjimeve telefonike të bëra ndaj tyre nga prokuroria. 
Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës, një nga të pandehurit e çështjes, Ylli Pinari, ish-drejtor i kompanisë “Meico” në Ministrinë e Mbrojtjes, kërkoi që materialet e përgjimeve telefonike ndaj tij të mos merren si provë. 
Sikurse pretendoi i pandehuri, përgjimet e prokurorisë nuk provojnë asnjë gjë të kundërligjshme në veprimtarinë e tij. 
Kundërshti lidhur me përgjimet e prokurorisë ka patur edhe nga disa të pandehur të tjerë, që  i kanë konsideruar ato si të pavlefshme. 
Çështja  “Gërdeci” numeron  29 të pandehur, në pjesen më e madhe ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Të pandehurit e çështjes  akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.