Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 09:15

Tiranë – Bashkia e Tiranës prezantoi dje projektin e ri për qendrën  “Tirana XXI”.

Drejtuesit e Bashkisë, nënkryetarja Albana Dhimitri dhe administratori i përgjithshëm, Dritan Agolli, u shprehën se “ky projekt synon të fuqizojë Tiranën dhe ta shndërrojë atë në kryeqendrën e rajonit, në kryeqendrën e identitetit kulturor të të gjithë shqiptarëve”.

“Ideja e këtij projekti ka lindur me planin e Qendrës në vitin 2004 dhe u zhvillua me tej me Planin e Ri Rregullues në 2008-ën. Zona ku do të zhvillohet qendra “Tirana XXI” është në veri të unazës ekzistuese deri te lumi Tirana, në lindje dhe perëndim kufizohet nga rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja””, u shprehën drejtuesit e Bashkisë.

Sipas tyre, “qendra e re do të jetë porta hyrëse dhe kryqëzim i rrugëve të hyrjes në qytet. Parku i ri i qendrës që do të ketë një sipërfaqe prej 150 mijë metra katror, do të jetë kulmimi i saj më i rëndësishëm. Ndërkohë që qendra e re do të ketë 20 sheshe publike”.

Në qendrën e re do të ndërtohen edhe zyrat e reja të Bashkisë, Pallati i Drejtësisë dhe Pallati i Financës. Gjithashtu në qendër do të ngrihet edhe qendra rajonale e BE-së dhe do të ndërtohet edhe terminali i ri verior.