Nju-Xhersi – Në Nju-Xhersi u nda nga jeta një nga gratë më jetëgjata shqiptare. Demire Durollari ishte 115 vjeç dhe një dëshmitare e rrallë e zhvillimeve më të rëndësishme të botës shqiptare gjatë më shumë se një shekulli, bën të ditur Zëri i Amerikës.
Zonja Durollari lindi në Hudënisht të Pogradecit më 14 shtator 1895 në një familje patriotësh. Në vitin 1949, ajo u arratis nga Shqipëria komuniste dhe jetoi 20 vjet në Shkup. Pas një qëndrimi në Itali, u vendos në Shtetet e Bashkuara.
Zonja Durollari gëzonte vazhdimisht shëndet të mirë dhe me hapjen e Shqipërisë ajo është kthyer atje disa herë.
Në intervistat për mediat ajo ka thënë se sekreti i saj i jetëgjatësisë ka qenë ushqimi; ajo hante shumë peshk dhe bulmetra, nuk konsumonte as duhan as alkool.
Zonja Demire Durollari lë pas tre fëmijë.
Friday, 29 April 2011 11:04