Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 10:39

Tiranë – Mori jetë, sot, projekti i ndërtimit të tunelit Tiranë-Elbasan, i cili do të shkurtojë një distancë jo vetëm gjeografike, por dhe kohore mes këtyre dy qyteteve.

Në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e tunelit, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se autostrada Tiranë-Elbasan përbën, pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar.

Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Sipas ekspertëve, kjo rrugë do të kthejë qytetin e Elbasanit në një zonë shumë të zhvilluar, pasi përmes saj do të ketë fluks transaksionesh tregtare e që priten të arrihen brenda 2 vitesh.

Një tjetër impakt i pritshëm nga ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan është ndikimi për zhvillimin sa më të shpejtë të parkut industrial.

Autostrada e re bashkon Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.

Ministria e Financave dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB) nënshkruan në fillim të këtij muaji marrëveshjen e kredisë prej 222.7 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Autostrada Tiranë – Elbasan, pjesë kryesore e Boshtit të Jugut, do të ketë një gjatësi prej 31.17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment.

Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra.

Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë Boshtin rrugor të Jugut.

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 400 milionë dollarësh do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjera si Fondi i Abu Dhabi-t, i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD; Fondi Saudit per Zhvillim, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; Fondi OPEC, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.

Në tenderin për ndërtimin e tunelit, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, zhvilluar në muajin mars, paraqiten ofertat ekonomike 7 kompani. Për ndërtimin e këtij tuneli paraqiten interes 26 kompani. Pas fazës së parë të përzgjedhjes u kualifikuan 13 kompani, nga të cilat, vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertat e tyre ekonomike. Agjencia e Prokurimit Publik shpalli kompaninë greke “Aktor” fituese për ndërtimin e tunelit./s.s./