Prishtinë – Britania e Madhe iu ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë, në mënyrë që të mos pengohet edhe puna e Bashkimit Evropian.
Ky reagim vjen pas mosmarrëveshjeve që janë shfaqur ndërmjet vendeve anëtare të BE-së për emërimin e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, pasi Piter Feithit, që ka mbajtur këtë detyrë, nesër i skadon mandati.
Mosmarrëveshjet midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë penguar deri më tani emërimin e një përfaqësuesi special të BE për Kosovë, në vend të përfaqësuesit të deritashëm Pieter Feith, të cilit i skadon mandati nesër, pra me 29 prill.
Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian javën e kaluar vendosën që diplomati italian Fernando Gentilini, të ushtrojë këtë detyrë deri në emërimin e një kandidati tjetër. Ndërkohë Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar nga pesë vendet e Bashkimit Evropian për të reflektuar lidhur me qëndrimin e tyre, përkatësisht që ato të njohin pavarësinë e Kosovës, pasi këto pesë vendet anëtare Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan portali Zëri Evropian. Piter Fajth prej nesër do të jetë vetëm shef i ICO-së e jo edhe përfaqësues special i BE-së.
Nga ana tjetër kandidate potenciale për postin e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë është raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek. Ajo e ka konfirmuar tashmë kandidimin e saj për këtë detyrë. Ndërkohë, zyra e zonjës Luancek në Bruksel ka bërë të ditur se zonja Lunacek po qëndron në Uashington për një vizitë treditore, ku me zyrtarë të lartë amerikanë do të diskutojë edhe këtë çështje.
Thursday, 28 April 2011 11:45