Prishtinë – Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve serbë se bisedimet e filluara në Bruksel mund të kthehen nga ato teknike në politike, zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, shprehu qëndrimin se këto bisedime janë vetëm teknike dhe në të mirë të të dyja palëve negociuese.
Ajo këto komente i bëri në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.
Ajo ka thënë se qëllimi i bisedimeve është që Beogradi të ndërpresë ndikimin negativ te serbët në Kosovë, e sidomos tek ata në veri
Duke folur rreth përfitimeve që mund të ketë Kosova nga këto bisedime, Tahiri theksoi se dialogu do të ndikojë në integrimin e të dyja shteteve në BE, ndërsa shtoi se Kosova meriton heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e saj me BE-në, si shteti i vetëm në rajon që ka mbetur jashtë këtij procesi.
Sipas Tahirit, esenca e bisedimeve Kosovë-Serbi do të jetë një formulë e fqinjësisë së mirë që do t’i integrojë të dyja palët në strukturat veri-atlantike.
Ndryshe, shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se në bisedimet me Prishtinën, ekipi i Beogradit, “i mbahet Kushtetutës dhe rezolutave të Kuvendit” dhe se në asnjë mënyrë nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.
Ai ka shtuar se ndarja e Kosovës është vetëm njëra nga temat për të cilën Beogradi është i gatshëm të bisedojë.
Wednesday, 27 April 2011 17:34