Prishtinë – Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryetari i Gjykatës Supreme prezantuan raportin tremujor lidhur me zbatimin e Strategjisë Shtetërore për Reduktimin e Lëndëve të Vjetra.
Problemit të 200 mijë lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës ka nisur t’u vijë fundi, kjo pasi strategjia e hartuar për reduktimin e lëndëve të vjetra ka filluar të japë rezultatet e para. Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Supreme, thanë se për tre muajt e parë të këtij viti numri i lëndeve të grumbulluara ka rënë për 11 %.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se ky është një sukses i gjyqtarëve, me gjithë faktin se ende ka mbetur një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura.
Edhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, theksoi se 11% e lëndëve të zgjidhura brenda tre muajve është një e arritur për gjyqësorin. Hasani ka shprehur bindjen se deri në fund të viti 2012 të gjitha lëndët e vjetra do të përfundojnë.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës pati hartuar muaj më parë strategjinë shtetërore për reduktimin e lëndëve të vjetra, e cila synonte zgjidhjen e 200 mijë lëndëve të vjetra që e kanë ngulfatur gjyqësorin.
Wednesday, 27 April 2011 17:09