Shkup – Fyerja ndaj shqiptarëve në tekstet shkollore si duket nuk ka të ndalur në Maqedoni. Kësaj radhe në librin e Historisë për klasën e gjashtë paraardhësit e shqiptarëve – Ilirët janë quajtur barbarë. Tani mbetet diskutabile nëse anëtarët shqiptarë të Këshillit nacional për shqyrtimin e librave mund t’i tërheqin këto libra.
Shoqata e Historianëve Shqiptarë dhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) “Naim Frashëri”, krerët e të cilëve janë anëtarë të Komisionit nacional për hartimin e librave, thonë se do të bëjnë çmos për të penguar që të njëjtit të jenë në përdorim.
Historiani Skënder Hasani ka reaguar ndaj këtij akti, duke e cilësuar atë si të shëmtuar.
“Konkursi për librin e klasës së gjashtë është shpallur para 4-5 muajsh, ku kanë konkurruar disa autorë, fatkeqësisht në mesin e tyre nuk ka asnjë autor shqiptar. Ne fort mirë e dimë se libri i klasës së gjashtë çfarë rrëmuje bëri në opinion, sepse aty ishin paraqitur fyerje të mëdha për popullin shqiptar, ku shqiptarët u quajtën të ardhur prej malit dhe janë e keqja e këtij shteti”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, me shpalljen e këtij konkursi dëshirohet që përsëri të vazhdohet me avazin e vjetër.
“Këto libra që janë paraqitur kanë kaluar në komisionin recensues, ku përsëri s’ka asnjë shqiptar dhe, përfundimisht, vizën ky libër duhet ta marrë në komisionin nacional për libra”, është shprehur më tej Hasani.
Ai ka thënë se librat janë në komisionin nacional të librave dhe se ai si historian do të bëjë çmos për ta parandaluar këtë libër.
Në përpilimin e librave për vitin e ardhshëm shkollor, të cilët ende janë në shqyrtim të Komisionit nacional, probleme janë evidentuar edhe në librin e Edukatës muzikore, ka thënë Nuhi Dardhishta, kryetar LASH-it.
“Çështje problematike do ta bëjmë edhe librin e muzikës. Unë kam thënë në këshill se librat pa recensentë dhe autorë shqiptarë nuk pranohen. Krejt librat janë maqedonisht. Sa i përket librit të muzikës, jam konsultuar me një arsimtar të muzikës, sepse janë maqedonisht, nëse ata përkthehen në shqip, s’ka as autor as recensent shqiptarë. Nuk e di si do të dalin këngët nga maqedonishtja në shqip”, ka vijuar në prononcimin e tij Dardhishta.
Ai ka shtuar se problemi është se nuk ka konkurruar asnjë autor shqiptar, por librat prej maqedonisht në shqip nuk mund të përkthehen.
Këto libra bëhen gati për vitin e ardhshëm shkollor, 2011/2012, ku për herë të parë startojnë me klasën e gjashtë, nxënësit që janë regjistruar në shkollë me ligjin e ri për arsimin fillor nëntëvjeçar. Në Ministrinë e Arsimit nuk arritëm të marrim informatat, se përse recensent nuk është asnjë shqiptar.
Wednesday, 27 April 2011 07:07