Prishtinë – Deklaratat e shefit të delegacionit serb në bisedimet Prishtinë-Beograd Borko Stefanoviq se mund të bisedohet edhe për ndarjen e Kosovës, nuk i kanë bërë përshtypje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Ai ka thënë se Kuvendi ka nxjerrë një rezolutë, përmes të cilës në mënyrë të veçantë ia përcakton delegacionit të Kosovës se çka nuk mund të bisedohet me Serbinë.
Deri tani udhëheqësja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri ka raportuar vetëm para Komisionit për politikë të jashtme, por jo edhe para Kuvendit. Por kryeparlamentari Krasniqi nuk jep një përgjigje të qartë nëse do të raportojë Tahiri edhe para ligjvënësve në seancë.
Për sa i përket asaj se a duhet të bisedohet me Beogradin për gjykatën në veri të Mitrovicës, për të cilën çështje ditë më parë drejtuesit e EULEX-it thanë se duhet të ketë një vendim politik që del nga dialogu, Krasniqi ka thënë se fillimisht duhet pasur një pasqyrë të gjendjes në të gjitha gjykatat e Kosovës, e veçmas të gjykatës në veri.
Pa pasur një material të qartë, Krasniqi ka thënë se Kuvendi nuk mund të diskutojë mbi kërkesa të individëve apo mbi deklarimet në media.
Ndryshe, shefi i delegacionit serb Borko Stefanoviq të shtunën në një deklaratë për mediat serbe, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bisedohet edhe për ndarjen e Kosovës, duke thënë se asnjëherë nuk thotë se është e pamundur të flitet për një temë të caktuar.
Tuesday, 26 April 2011 15:34