Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 11:19

Shkup – Në zgjedhjet e 5 qershorit, pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare, do të shkojnë ndaras në zgjedhje. Kjo alarmon për dështimin e koalicioneve parazgjedhore dhe njëkohësisht shpërndarja e votës shqiptare. Kur merret parasysh kjo rezulton të jetë e dështuar, madje nisma e komunitetit shqiptaro – amerikan për unifikim të faktorit politik shqiptar, po edhe të disa partive tjera politike, derisa dështoi edhe nisma e Lëvizjes Qytetare “Zgjohu” ku kreu i saj u gjet në listën e kandidatëve si deputet në njësinë e dytë zgjedhore. Kryetari i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH), Bardhyl Mahmuti ka thënë se ideja e unifikimit të faktorit shqiptar është në zemër të çdo shqiptari. Prandaj, vetëm të bashkuar forcat politike mund t’i mbrojnë dhe t’i realizojnë të drejtat legjitime të popullit. “Vetëm armiqtë e popullit shqiptar dëshirojnë të na shohin të përçarë, sepse ata janë të vetëdijshëm se përçarja i harxhon energjitë kombëtare dhe profesionale, brenda llojit. Ne kemi bërë apel që të bashkohemi dhe i kemi shtrirë dorën e pajtimit të gjitha forcave politike si rezultat i kësaj strategjie. Para dy ditësh na u bashkëngjit Daut Rexhepi-Leka, deputet i pavarur dhe ish komandat i luftës në zonën e Tetovës”, ka thënë kreu i BDSH-së, Mahmuti. Në BDSH, madje thonë se gjatë këtyre ditëve do të bëjnë publike edhe një koalicion ndër shqiptar me një forcë politike. “Duhet të ndalen spekulimet e forcave të mëdha dhe të vogla. Ideja e bashkimit është më e madhe se të gjitha forcat politike bashkë. Duhet të ndalen spekulimet se kush është i madh e kush i vogël, nëse hyjmë në atë se kush është i madh atëherë të gjithë e dinë se vetëm Zoti në qiell dhe populli në tokë janë të mëdha”, ka thënë Mahmuti.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) i drejtuar nga Hisni Shaqiri do shkojë në zgjedhje e vetme dhe do të garojë në të gjitha njësitë zgjedhore ku jetojnë shqiptarët. BDK sipas tij, ka tentuar që të arrihet marrëveshje mbi një program kombëtar, duke krijuar unitetin ndër-shqiptar me qëllim që të faktorizohet vota shqiptare. Duke apostrofuar në BDI-në, sipas tij, “koalicionet dështuan si rezultat i programeve të ndryshme politike”. ”Bisedimet nuk kanë qenë të nivelit. Nuk di si mund të krijohen koalicionet pa pjesëmarrje në listat për deputetë. Kjo flet se nuk kanë qenë të disponuar për koalicion”, ka thënë Hisni Shaqiri, kryetar i BDK-së. “Koalicionet parazgjedhore kanë qenë një farsë e kulluar, nuk ka koalicion pa qenë pjesëmarrës në proces”, ka thënë nga ana tjetër, Sefedin Haruni, kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD).

Kjo parti në zgjedhje do të shkojë në koalicion me komunitetin shqiptaro – amerikan, me të cilët do të paraqesin lista të përbashkëta për deputet. Jo zyrtarisht, deri tani rreth shtatë parti shqiptare do të konkurrojnë në këto zgjedhje, BDI, PDSH, DR, RDK, PPD, BDSH dhe BDK, por nuk përjashtohen edhe lista qytetare. Deri më 5 maj është afati për dorëzimin e listave të deputetëve nga ana e partive politike, ku më pas fillon fushata parazgjedhore.