Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 09:45

Shkup – Shoqata Shqiptaro-Amerikane (SHSHA), ka reaguar lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Maqedoni, duke e quajtur si plan strategjik për riaktivizimin e pansllavizmit në Ballkan.

“Vizita e kryediplomatit rus Sergej Lavrov në disa vende të Ballkanit dhe në Maqedoni tregon qartë se tashmë janë riaktivizuar vijat diplomatike pansllaviste për të përthekuar e vënë në ngërç çështjen e popullit shqiptar”, thuhet në reagim.

“Lavrov me vete kishte marrë udhërrëfyesin – Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (1985) dhe procesverbalet vrastare të viteve 1878-1913, ku po kjo Rusi me dorën e vet e copëtoi dhe ua ndau për bakshish tokën e Shqipërisë fqinjve grabitçarë – Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Nuk është rastësi që Sergej Lavrov nga Kisha Ortodokse në Ohër i referohej për tokën dhe popullin shqiptar ‘Jerusalemi i Ballkanit’. Për të qenë paradoksi edhe më i madh në takimet me diplomatin rus nuk ishte asnjë prej përfaqësuesve politikë shqiptarë nga mekanizmat relevantë shtetërorë në Maqedoni”, thuhet në komunikatën e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane.

Këso kohe, thuhet aty, “Nikolla Gruevski po luan lojën e strucit për të treguar se paskësh miq të fortë në kohë të vështira”.

Kjo organizatë apelon që të shmangen skenarët dhe planet serbe për strategjitë e dëmshme për Ballkanin dhe kundër shqiptarëve.

“Po i rikujtojmë diplomatit rus se pikërisht Shkupi është Dardania Antike dhe jo Jerusalemi i Ballkanit. Shteti maqedonas nuk mund të zhvillojë politikën e jashtme pa pjesëmarrjen e shumicës shqiptare. Diplomati rus Lavrov ka harruar se në Ohër dhe nga Kisha Ortodokse fliste në tokën shqiptare dhe duhet të dijë se në Maqedoni jetojnë mëse 800 mijë shqiptarë me besimin fetarë islam, ortodoks dhe katolik. Në Shkup u lind edhe Nëna e madhe Shqiptare – Nëna Terezë, që u bë emblema humane dhe gjithënjerëzore për botën dhe civilizimet duke e marrë edhe Çmimin Nobel”, shkruan SHSHA. SHSHA vlerëson se ka ardhur koha që subjekti politik shqiptar të ketë qëndrim unik dhe konstant lidhur me këto situata të krijuara.

Përndryshe, sipas kësaj organizate, për të marrë udhë kah Ballkani, diplomacia ruse dhe vetë Sergej Lavrov duhet të marrë me vete platformën e paqes, lirive dhe të drejtave njerëzore, dhe ta dijë se ndër shekuj kombi shqiptar pa të drejtë e ka pësuar më së keqi.