Prishtinë – 18 Prilli – Dita e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës u shënua me aktivitete të ndryshme.
Me rastin e përvjetorit të dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, familjarë të dëshmorëve, udhëheqës komunalë e ish-luftëtarë të UÇK-së, vendosën kurora lulesh pranë varrezave të dëshmorëve.
Nisi në Velani me një minutë heshtje në nderim të ish-luftëtarëve.
Kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, tha se kontributi i të rënëve përbënë veprën më të madhe që njerëzit mund ta bëjnë për vendin.
“Sot dolëm t’u bëjmë nderim dëshmorëve të kombit, të cilët kanë dhënë jetën për lirinë e këtij vendi, të cilën liri sot po e gëzojmë. Kjo është vlera më e madhe që ka Kosova dhe që ka kombi ynë dhe është vepra më e madhe sublime që njerëzit kanë mundur ta bëjnë për Kosovën”, tha i pari i Prishtinës.
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Sabit Krasniqi, e quajti 18 Prillin ditë të krenarisë.
“Është ditë e krenarisë, për arsye se dëshmorët na bënë që të ndihemi krenarë. Sot i nderojmë me respektin më të lartë dhe do t’i nderojmë ndër breza”, tha ai.
Varrezat e dëshmorëve në Velani pritet të përfundojnë së rregulluari brenda 10 ditësh, ka bërë të ditur i pari i Prishtinës, Isa Mustafa.
Monday, 18 April 2011 10:32