Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:34

Shkup – Projekti i shumëpërfolur “Shkupi 2014”, i cili ndërtohet me mjete buxhetore, mjete këto të cilat sigurohen nga të ardhurat e tatim paguesve, kap vlerën e diku rreth 300 milion euro. Në bazë të analizave tona, nëse kjo shifër ndahet për kokë të çdo qytetarë të vendit pa marrë parasysh cilës gjeneratë i takon, do të kuptojmë se për kokë të qytetarët duhet të ndahen nga 150 euro. Apo më konkretisht qytetarët shqiptarë të cilët në bazë të regjistrimit të popullatës të vitit 2002, numërohen të jenë diçka mbi 500 mijë, projektin “Shkupi 2014”, kontribuojnë me mbi 76 milion euro.

Por nëse merret parasysh se çdo shtëpi e shqiptarit numëron afërsisht nga 5 anëtar në familje, llogarit tona thonë se çdo familje shqiptare duhet të ndanë nga 750 euro për projektin “Shkupi 2014”, në të cilën shqiptarët nuk janë përfillë.

Profesori i ekonomisë dhe njohësi i mirë i këtyre çështjeve Nexhbi Veseli, është i mendimit se shqiptarët participojnë më shumë në këtë projekt, sepse buxhetin e vendit me mbi 50 për qind e mbushin shqiptarët.                                                               “Nëse ky projekt ndërtohet me të holla nga buxheti, atëherë duhet ta shohim se vallë kush e mbushë këtë buxhet, në bazë të analizave të shumta të cilat janë bë, thuhet se buxhetin me tepër e mbushin Maqedonia perëndimore, e cila njihet kryesisht me popullatë shqiptare, ndërsa shumë pak mjete hyjnë në atë buxhet nga Maqedonia lindore, të cilët akoma kanë problem edhe me mbijetesën. Prandaj këto investime të cilat ne si shqiptarë i bëjmë në këtë shtet duhet disi të na kthehen, e ato duhet të na kthehen vetëm nëse faktori politik shqiptar i cili do të jetë në qeverinë e ardhshme të jetë më këmbëngulës, dhe të mos prêt me duarkryq se çka do ti jap partia maqedonase”, ka thënë Nexhbi Veseli.

Edhe për Komisionin për parandalim të Korrupsionit, mënyra e sigurimit të mjeteve financiare dhe burimet e tyre, kanë qenë kontestuese, për të cilën edhe ka ngritë një lëndë të cilën është duke punuar.

“Komisioni për parandalim të Korrupsionit, ka pa si të dyshimtë burimet dhe mënyra e sigurimit të mjeteve buxhetore, për të cilën ka ngritë një lëndë e cila duhet ti konkretizon këto pa qartësi, por deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim. Për këtë komision ka qenë edhe diskutabile edhe vendimet të cilat i ka marrë këshilli i komunës Qendër”, ka thënë Arif Musa, anëtar i Komisionit për Parandalim të Korrupsionit. Për projektin në fjalë ka reaguar edhe opinioni i gjerë, i cili ka kërkuar nga kjo qeveri që të ndërpritet ky projekt shumë i shtrenjtë, në një kohë kur e gjitha bota është goditur fuqishëm nga kriza globale ekonomike.

Sipas kryetares së Organizatës joqeveritare “Transparensi interneshënëll Maqedonia” Sllagjana Taseva në mënyrë joligjore janë transferuar të hollat për 11 projekte të “Shkupit 2014”, ndërsa janë të panjohura burimet dhe qëllimet e gjithsej, siç pohon ajo, “928 milionë denarë, të transferuara në llogarinë e Komunës Qendër. “Shkupi 2014”, kanë thënë nga Organizata joqeveritare “Transparensi interneshënëll Maqedonia”.

Prej aty shpjegojnë se komuna Qendër ka guxuar të paguaj për përmendoret nga të hollat e buxhetit të komunës, por ato ti ndërtojë qeveria e jo me të hollat e buxhetit shtetëror t’i ndërtojë komuna, siç është në rastin konkret. Projekti “Shkupi 2014”, ka qenë diskutabil edhe në procedurat e saj të zgjedhjes, ku janë konstatuar një varg lëshimesh nga këshilli Komunal i Komunës Qendër, por po ashtu qeveria është kritikuar edhe për mosrespektimin e ligjit i cili parasheh që komplekset dhe përmendoret memoriale, siç janë shumica e përmendoreve në atë projekt, do duhej të sillet në Parlament, edhe atë duke e respektuar parimin e Badenterit. Ky projekt ka qenë fuqishëm i kritikuar edhe nga analistët politik sepse në masë të madhe projekti “Shkupi 2014”, ka cenuar marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare.