Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 13:33

Shkup – Edhe pse ende nuk dihet saktë se kur do të fillojnë punimet ndërtimore në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, kur u prezantua ideja e këtij projekti, u premtua se ato do të fillonin në muajin prill, por duket se “ende nuk kanë përfunduar të gjitha punët administrative”.

“Jemi në përfundim të projekteve kryesore realizuese, dhe me atë do të jetë i qartë edhe konstruksioni financiar dhe mendojmë se shumë shpejtë duhet të fillojnë punimet”, ka  paralajmëruar kreu i Çairit, Izet Mexhiti.

Pritet të realizohet varianti i kompletuar i sheshit, ai i cili do të lidh Komunën e Çairit me atë të Qendrës. Projekti sheshi “Skënderbeu” parashihet të realizohet në kuadër të territorit të Komunës së Çairit, gjegjësisht para shtëpisë së mallrave “Ilinden”, dyqaneve dhe parkingut aktual. I gjithë komunikacioni do të jetë nën nivel tokësor, ndërsa hapësira mbi të do të jetë e hapur për qytetarët.

Nga ana tjetër, Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit, bashkërisht kanë premtuar zgjerimin e  rrugës “Cvetan Dimov”, dhe bulevardit te rruga e plastikave. Ky projekt, vjen si rezultat i bashkëpunimit që ka Komuna me Qytetit.

“Edhe një herë e potencoj se bashkëpunimi me Qytetin e Shkupit është solid, koordinohemi dhe vazhdon Qyteti i Shkupit, taksat që i mbledh nga qytetarët e Komunës Çair, t’i kthejë në investime kapitale konkrete, si infrastruktura nëntokësore nëpër lagjet e saja. Në bashkëpunim me qytetin në përfundim e sipër janë zgjerimi i rrugës ‘Cvetan Dimov’ dhe rrugës së plastikave, dy bulevarde kyçe të Çairit. Po ashtu, rruga duhet të lidhet edhe me qarkoren e Shkupit”, ka thënë Mexhiti.

“Mbetet prioritet ringjallja e Çarshisë së vjetër, ku këto ditë kemi vendosur shtyllat hidraulike dhe përfundimisht Çarshia është zonë e këmbësorëve. Bashkë me qytetin e Shkupit planifikojmë shumë shpejt të përfundojmë ndriçimin e rrugëve të Çarshisë së vjetër dhe edhe më tutje do të vazhdojmë me aktivitet kulturore të cilat kontribuojnë drejtë revitalizimit të Çarshisë së vjetër”, ka thënë Mexhiti.

Ndërkohë, qeveria për projektin ideor të Sheshit “Skënderbeu” kishte ndarë 10 milionë denarë, ndërsa nga buxheti i vitit 2011 për fillimin e projektit kryesor të Sheshit “Skënderbeu” ka ndarë 30 milionë denarë  apo rreth 500 mijë euro.