Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 17:36

Korçë – Me sloganin “Jo regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare”,  Aleanca Kuq e Zi mblodhi në Korçë të premten, qindra nënshkrime për peticionin, që do të kërkojë në Kuvend,  abrogimin e ligjit të gjendjes civile dhe regjistrimit të popullsisë me vetëdeklarim mbi baza etnike dhe fetare.

Në takimin që organizoi Aleanca Kuq e Zi në sallën e teatrit “A.Z.Çajupi”, drejtori i Qendrës për Kulturë Demokratike “Fan Noli”, Nuri Dragoi, shprehu kënaqësinë që Korça e shkollës së parë shqipe dhe djep i identitetit kombëtar, i tha “jo” manipulimit dhe fallsifikimit të identitetit kombëtar.

Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”, Ylber Merdani, tha se “Korça dhe korçarët nuk e ndërrojnë kombësinë me disa para të pista që vijnë nga jashtë kufirit me qëllim që të përçajnë kombin shqiptar” dhe bëri thirrje për nënshkrimin e këtij peticioni.

Thirrjes ju bashkuan dhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Korçës, Vladimir Torroveci, kryetarja e shoqatës së grave korçare, Klara Çelo si dhe shumë intelektualë e qytetarë korçarë.

Në takim ishte i ftuar edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili përshëndeti nismën e Aleancës Kuq e Zi dhe solidarizimin e qytetarëve korçarë për nënshkrimin e peticionit, që kërkon ndryshimin e ligjit të gjendjes civile që lë shteg për manipulimin e kombësisë dhe regjistrimin me vetdeklarim etnik dhe fetar.

“Për fat të keq, kombit shqiptar i është dashur shumë herë në rrjedhat e historisë të mbrojë identitetin e vet, dhe sot atij i duhet përsëri ta mbrojë kët identitet dhe vlerat kombëtare. Nuk mund të ketë vendimmarrje të heshtura për çështje të tilla të rëndësishme, por duhet një debat i gjerë publik që të mbrohen interesat kombëtare dhe të gjendet një zgjidhje kushytetuese për problemin e regjistrimit të popullsisë”, tha Spahiu.

Sipas tij, çështjet që lidhen me identitetin kombëtar prekin ndjenjat dhe interesat e të gjithë kombit, ndaj ato nuk mund të zgjidhen pa një debat transparent dhe një strategji kombëtare.

“Ne jemi pro regjistrimit, por jemi kundër falsifikimit, kundër vetdeklarimit, kundër shitjes, blerjes dhe tregëtimit të kombësisë së shtetasve shqiptarë”, tha Spahiu, duke vijuar se “jemi pro regjistrimit, por mbi të gjitha jemi pro debatit mbi regjistrimin, si e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje të gjithëpranuar”.

Ai vlerësoi se kombësia nuk është një vlerë personale e individit, që mund ta këmbejë dhe tjetërsojë sipas interesit të momentit, por përkundrazi është një vlerë shoqërore me interes publik e cila duhet të mbrohet në radhë të parë nga shteti shqiptar dhe më pas nga çdo qytetar i tij.

Qytetarë të shumtë regjistruan emrat e tyre në peticion duke nënshkruar për të.