Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 17:03

Shkup – Organizata joqeveritare “Civil” apelon të kihet kujdes në lidhje me dhunën e armatosur e cila është vërejtur në fushatën parazgjedhore gjatë disa ditëve të kaluara.

OJQ “Civil” në suaza të projektit “Zgjedhje pa dhunë 2011”, me vëzhguesit e vet përfshinë 23 komuna në gjithë Maqedoninë, duke e përfshirë edhe Shkupin, prej ku, për çdo ditë merr raporte për gjendjet parazgjedhore.

“Deri më tani nuk kemi regjistruar incidente të veçanta, të cilat përfshijnë dhunë ose dhunë me armë edhe pse mund të konstatojmë se ka raste të gjuajtjeve me armë nëpër mitingje, por edhe nga autobusët që janë në lëvizje. Vëzhguesit tanë kanë vërejtur gjuajtje në afërsi të sallës sportive ‘Boris Trajkovski’ në ditën kur BDI-ja kishte konventë në Shkup, kurse janë vërejtur edhe raste tjera të këtilla të cilat i konsiderojmë si dhunë me armë”, tha në konferencën për mediat kryetari i OJQ-së “Civil”, Xhabir Deralla.

Nga OJQ-ja u bëjnë apel partive politike të ndalojnë çfarëdo lloj presioni, kërcënimi ose kontakte fizike me aktivistët e partive tjera.

“Partitë politike pothuajse për çdo ditë lajmërojnë dhe paraqesin incidente të vogla, si thyerje të shtabeve zgjedhore ose shkatërrimin e materialit të tyre propagandues dhe kërcënime verbale. Dëshirojmë të apelojmë deri tek ato që menjëherë të ndalojnë me praktikën e tillë. Në lagjen e Shuto Orizarit kemi regjistruar gjendje të tensionuara dhe lëndime fizike në mes aktivistëve të dy partive rivale në atë teren”, u shpreh Deralla.

Ai apelojmë që të bëhet marrëveshje që të mos shkatërrohet procesi zgjedhor edhe në këtë komunë