Hasanbeg – Kandidati për deputet në Parlamentin e Maqedonisë, Xhezair Shaqiri – Hoxha, në pamundësi për të qenë prezent në tubimin që u organizua të dielën mbrëma në Hasanbeg të Shkupit, ka përshëndetur të pranishmit, simpatizantët dhe bashkëluftëtarët e tij nëpërmjet një videoincizimi.
“Jeni në dijeni se për shkak të represioneve dhe proceseve të montuara politike nga ana e shtetit të Maqedonisë nuk mund të jem sonte prezent me ju, por dëshiroj t’ju njoftoj se jeni vetëm ju ata që me votën tuaj do të mbroni krenarinë tuaj. Dashtë Zoti që unë me votën tuaj të zgjidhem deputet dhe shumë shpejt do të shifemi në Shkup”, ka thënë Xhezair Shaqiri – Hoxha. Ndërkaq, kryetari i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë se gjendemi në Hasanbegun e komandant Kushtrimit, i cili u vra në mënyrën më çnjerëzore nga ky aparat shtetëror. “Presione dhe shantazhe të ndryshme kam pasur për të hequr nga lista Xhezair Shaqirin dhe atë nuk e bëra, sepse nuk jam kodosh. Të bashkuar me popullin shqiptar, do ta nxjerrim në dritë nga kjo situatë tepër e keqe dhe e padurueshme, sepse ne jemi persona të dëshmuar të çështjes kombëtare si në Kosovë, po ashtu edhe këtu. Më 5 qershor, duke votuar Xhezair Shaqirin ju votoni kundër shantazheve, presioneve dhe me këtë i jepni fund të gjitha të këqijave kundër shqiptarëve. Ne kemi platformën më shqiptare dhe i bind edhe ata që thonë se mos votoni partitë e vogla. Edhe Ahmeti edhe Thaçi e dijnë mirë se e drejta është në anën tonë”, ka thënë Bardhyl Mahmuti. Në këtë tubim para të pranishmëve kanë folur edhe profesoresha Myqereme Rusi, Daut Rexhepi – Leka, Ismail Rexhepi – Mala dhe mjeku i njohur Rexhail Ramadani.
“Unë shoh këtu një mllef nga zullumi që ju ka prekur juve edhe në bukën e gojës. Me këtë shqipfolësit ju bëjnë shërbim sllavëve për të izoluar figurat e dala nga lufta. Ne jemi në rrugë të drejt dhe të zotit dhe jemi të bashkuar rreth BDSH-së për ti thënë stop dhunës dhe terrorit që po ushtrohet ndaj popullit shqiptar nga BDI dhe PDSH, të cilat po ja përgatitin terrenin maqedonasve për procese të reja të montuara siç është procesuimi i rasteve të Hagës”, ka thënë Daut Rexhepi – Leka, duke kërkuar që të votohet numri 4 i kandidatëve të tyre për deputet dhe sidomos për përkrahja për komandant Hoxhën.
Monday, 30 May 2011 16:08