Kumanovë – Rilindja Demokratike Kombëtare mbrëmë mbajti tubim në Qendrën e kulturës “Trajko Prokopiev” në Kumanovë.
Lideri i partisë, Rufi Osmani kërkoi mandat nga qytetarët me qëllim që, siç tha, RDK-ja të mundësojë ndarje të barabartë të parave nga Buxheti shtetëror dhe kapërcimi i krizës ekonomike dhe sociale dhe të luftojë për dinjitet të shqiptarëve.
Sipas Osmanit, pushteti flet për 1. 200 projekte, ndërsa partnerët e koalicionit nga radhët e shqiptarëve nuk kanë realizuar asgjë për popullin e tyre.
“Pse BDI-ja ka lejuar 200 milionë euro të përfundojnë në projektin “Shkupi 2014″. Ne do të përpiqemi që 25 për qind e Buxhetit të shkojnë në vend të sigurt, sepse kemi njerëz që nuk janë të korruptuar dhe dinë të punojnë për popullin”, porositi Osmani.
Bartësi i listës së RDK-së në njësinë e dytë zgjedhore, Selveri Jashari tha se BDI-ja qeveritare nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi dhe në shërbimin social në Kumanovë.
Monday, 30 May 2011 08:02