Dibër – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbrëmë në Dibër i prezantoi kandidatët për deputetë nga rajoni i Dibrës në njësinë zgjedhore 5 dhe 6, të cilat e përfshijnë edhe rajonin Zhupa.
Para të pranishmëve foli lideri i partisë dhe bartës i listës për njësinë e gjashtë zgjedhore, Ali Ahmeti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për BDI-në që të mund të vazhdojnë, siç tha, me projektet të mëdha, tashmë të filluara për avancimin e standardit të qytetarëve dhe për zhvillim të shtetit.
“Jam i bindur se votën tuaj dini ku ta jepni, respektivisht për partinë, e cila atë që e premtoi në vitet e kaluara edhe e realizoi. Dibra u bë qytet fakulteti. Do të punojmë me mund që të sigurojmë të ardhme më të mirë për të rinjt, që të arsimohen dhe të punojnë, e jo të largohen në botën e bardhë”, tha Ahmeti.
Gjendjen në shtet e vlerësoi si stabile dhe të sigurt, me klimë të mirë për investim.
Sipas Ahmetit, për Maqedoninë rruga e vetme është anëtarësimi në NATO dhe në BE.
“Maqedonia është vend i sigurt dhe ne intensivisht punojmë që atë siguri ta rrisim edhe më shumë. Shumë shpejt Maqedonia do të jetë pjesë e BE-së dhe e NATO-s, për shkak se nuk ka rrugë tjetër, kjo është e vetmja”, potencoi Ahmeti në tubimin në Dibër.
Monday, 30 May 2011 07:56