Shkup – Pesëdhjetë policë shqiptarë u degraduan nga pozitat e tyre të deritanishme dhe u transferuan në pozitat e rojtarëve të objekteve shkaku që nuk pranuan të marrin pjesë pas orarit të punës, në tubimet që i organizon BDI-ja dhe shkaku që me vullnetin e tyre të lirë zgjodhën që këtë përkrahje t’ia japin partisë, Demokracia e Re. Me këto akuza ka dalë të dielën Demokracia e Re (DR) ndaj vendimeve të BDI-së. Sipas DR-së, ky veprim i BDI -së edhe një herë e dëshmon logjikën e mbrapshtë me të cilën veproi kjo parti gjatë këtyre viteve në pushtet: “Nëse s’je me mua, je armiku i im”.
“Kjo logjikë, e cila shqiptarët i solli në këtë pozitë të mjerueshme në të cilën ndodhen tani, logjikë që përçan shqiptarët mes veti dhe i mundëson Gruevskit që më lehtë të sundojë. Ky veprim i BDI-së e dëshmon më së miri faktin se kjo parti autoritetin e vet mundet ta ushtrojë vetëm përballë shqiptarëve, ndërsa nuk e ka as guximin dhe vullnetin më të vogël t’i kundërvihet politikave antishqiptare, të cilat u bënë shkaktare të përbuzjes më të madhe që ka mund t’iu bëhet shqiptarëve ndonjëherë. Sepse këta dinë vetëm ta shkelin popullin e vet”, ka thënë Arjanit Hoxha, Shef i Shtabit Zgjedhor të DR-së
Sipas tij, BDI përmes këtij veprimi tregon se është në gjendje të ngulfasë me çdo mjet demokracinë brenda shoqërisë shqiptare.
“Kjo vepër e shëmtuar e BDI-së tregon haptas qëllimin e vërtetë të kësaj partie dhe e bënë më të qartë sloganin e saj se qëllimin e ka të degradojë dhe të dëmtojë shqiptarët, të cilët nuk mendojnë me logjikën e mbrapshtë të BDI-së”, ka shtuar Hoxha.
Sunday, 29 May 2011 21:07