Lajme Shqip Sunday, 29 May 2011 18:18

Shkup – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka reaguar lidhur me dëmtimin e bilbordeve nga ana e vandalistëve. Shantazhet, kërcënimet, presioni si metoda të pranishme tash disa ditë me radhë, sipas partisë së Rufi Osmanit nuk kanë të ndalur.

“Në pamundësi që të ballafaqohen me madhështinë e njeriut të sakrificës, menaxherit më të suksesshëm të komunave të Maqedonisë (i ftuar i vetëm nga Maqedoni në tubim ndërkombëtar, ku marrin pjesë përfaqësues nga vende më të rëndësishme botërore në rolin e panelistit si ekspert dhe njeri i praktikës), duke ikur si dreqi nga drita e gjetën targetin më të ri. Filluan që të vandalizojnë billbordet e kryetarit të RDK-së, z. Rufi Osmanit. Sjelljet e këtilla tregojnë nivelin e ulët të anëtarëve të kësaj partie që si duket nuk mund të pajtohet me faktin se është strukturë në largim e sipër”, thuhet në reagimin e RDK-së.

“Oferta konkrete e RDK-së për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara me dekada, fushata e civilizuar dhe kualitative, diskursi proevropian tërheqin vëmendjen e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, kudo ku karvani i kësaj strukture hapëron. Megalomania fillestare, me të cilën struktura shqiptare në pushtet e nisi fushatën, fillon të zbehet dhe vjen deri në kthjellim. Tubime senile, me grupe të vogla njerëzish (ndonëse ndaj qytetarëve ku kanë mundësi u bëjnë presione për pjesëmarrje në tubime) pa kurrfarë oferte konkrete, me fjalime historike, mitike dhe përrallore si duket sollën deri në nervozizëm në radhët e tyre. Shqetësimet janë evidente dhe veprimet karakterizohen me pamaturi”, thuhet më tej në reagimin e RDK-së, duke shtuar se fotografitë janë të pafuqishme por kjo parti është e fuqishme, sepse ka mbështetjen e popullit.