Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 13:08

Strugë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), mbajti tubimin qendror për njësinë zgjedhore numër 5 në Strugë, ku para qytetarëve të tubuar folën disa nga kandidatët për deputetë të BDI-së për këtë njësi zgjedhore.

Bartësi i listës zgjedhore të kandidatëve për deputetë të BDI-së, për njësinë zgjedhore numër 5, Arben Llabënishti, duke iu drejtuar bashkëqytetarëve të vet, në fillim tha se asgjë nuk mund të ndalë hovin për realizimin e fitoreve.

“Nga ky shesh dua t’i them diçka zotëri Cërvenkovskit dhe zotëri Gruevski. Zotëri Gruevski: Struga ka qenë, është dhe do të mbetet shqiptare. Zotëri Cërvenkovski, Struga është një, e tërë, e bashkuar dhe e tillë do ngeli me kryetar shqiptar, sepse atë e mbrojnë djemtë e Strugës, e mbron BDI, me në krye liderin tonë Ali Ahmeti. Një parti politike, një politikan, është i vlefshëm vetëm atëherë kur hapë rrugën për realizimin e projekteve me interes të shqiptarëve. BDI është partia e ka kapitalin e madh, atë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Është partia që ka dalë nga gjiri i popullit dhe punon për popullin”, ka thënë mes tjerash bartësi i listës së kandidatëve për deputet në njësinë zgjedhore numër 5, Arben Llabënishti.

Në vazhdim, Labënishti përmendi edhe mega projektin “Koridori 8”, që sipas tij e bën Strugën të privilegjuar, së bashku me zonën industriale ku sigurojnë punë dhe ekzistencë një numër i konsideruar i banorëve të Strugës.  Ai nuk harroi edhe degën mjaft fitimprurëse të ekonomisë, turizmin, për të cilin tha se do ti kushtohet rëndësi e duhur.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi shprehu kënaqësinë e tij për aderimin e rinisë shqiptare në të katër anët e Maqedonisë në BDI, e elaboroi këtë në formën se janë pikërisht ata  që  i kanë marrë punët dhe aktivitetet mbi  supet e tyre në këtë fushatë dhe për këtë arsye BDI-ja këtë fushatë e ka emëruar fushata e rinisë, fushata e rinisë shqiptare të BDI-së.

“Me shume kujdes dëgjova gjimnazistët, studentët dhe jo rastësisht kjo fushatë është emëruar fushata e rinisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Pikërisht në këtë situatë, pjesa dërmuese e punëve është në duart e rinisë së BDI-së. Pikërisht kur në gjeneratën time, dolën shumë opsione. Tani, me rastin e 30- vjetorit të demonstratave të Kosovës dhe 10-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe me këtë rast, me respekt të kësaj gjenerate, u mbajt në sheshin e Tetovës një “hepening” i atyre që për herë të parë votojnë, sepse ju jeni bijtë e shekullit të ri, sepse vëllezërit tuaj, motrat tuaja më të moshuara, para jush para 30 vitesh nuk i kanë patur kërkesat e juaja, por janë ballafaquar me dhëmbëzorë të tanksave, me tytat e mitralozave, që të flasin gjuhën tonë shqipe, që net ë gëzojmë universitet. Edhe në Shkup, para 30 vitesh e kemi kërkuar legalisht universitetin, por ne u shpërblyem me vrasje, u shpërblyem me maltretime e masakrime e asesi kërkesat tona nuk u realizuan, por u shpërblyem me burgje të rënda sa që shëtitëm të gjitha qelitë që nga Gjevgjelia e deri ne Jesenicë të Sllovenisë. Prandaj, me rastin e këtyre zgjedhjeve, mu kujtua një histori e tërë e brezit tim të ri dhe unë dua që ky vend ta kujtojë si histori të hidhur, por njëherit të jenë edhe krenar sepse ai brez arriti të organizojë dhe të motivizojë një komb të tërë që nga Mitrovica e deri në Strugë. Arritëm pavarësinë e Kosovës, arritëm të ndryshojmë Kushtetutën e Maqedonisë, tu sigurojmë shqiptarëve të figurojnë në aktin më të lartë, në Kushtetutën e Maqedonisë. Sot nuk keni nevojë as të protestoni e as tu dalni para zinxhirëve të tanksave, sepse ju atë e keni. Nuk keni nevojë të përballeni me zinxhirët e tanksave e as të ballafaqoheni me mitralozë për flamurin, sepse ate e keni krenar, e keni në ballë të çdo shqiptari. Gjuha shqipe flitet edhe në organin më të lartë, në Parlamentin e Maqedonisë. Ai i kemi arritur të gjitha pyeti Ahmeti dhe u përgjigj se sigurisht se jo, por ju rinia bashkë me njerëzit që kanë marrë këto procese për ti çuar përpara do të bashkoheni me ne që sa më shpejt të realizojmë qëllimet tona të drejta dhe të ndershme. “Para nesh ka detyra dhe obligime si për shqiptarët po ashtu edhe për maqedonasit. Detyra dhe obligimet tona jenë ardhmëria për ju, zhvillimi ekonomik, integrimi i Maqedonisë në NATO dhe në EU, heqjen e kufijve për Ballkanin, një Ballkan ku ju do lëvizni të lirë në një Ballkan ku ju do të jetoni në paqe”, ka thënë Ahmeti.

Vlen të theksohet se në këtë tubim të BDI-së, u paraqit edhe një nga ish zyrtarët e lartë të partisë PAE (PEI) e Fijat Canoskit, Senad Oxhoski, i cili për shkak të mospajtimit me politikën e PAE (PEI), lidhur me koalicionimin me LSDM-në, ka braktisur radhët e PAE (PEI) dhe i është bashkëngjitur BDI-së.