Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 22:05

Shkup – Mediat u kushtojnë vëmendje të madhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2011, tregon analiza e OJQ infoqendra përmes hulumtimit “Pasqyra mediale”, e bërë në 16 media elektronike dhe të shtypura në periudhën prej 11 deri 19 maj. Intensiteti i kronikave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2008, sipas Biljana Bejkova, ka qenë 66 në ditë, ndërsa tani kjo mesatare është 116 kronika në ditë të lidhura me zgjedhjet.

“Fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore nuk ka ndikuar mbi rritjen e intensitetit të informimit për zgjedhjet. Duke i krahasuar periudhat para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore dhe në javën e parë pas fillimit të saj, vërehet se nuk ekziston dallim i madh në numrin e kronikave. Këtë e konfirmon fakti se subjektet politike kanë hyrë në fushatë zgjedhore shumë më herët se fillimi i saj zyrtar, si dhe ajo se në Maqedoni ekziston fenomeni i fushatës permanente politike mediale”, ka thënë në konferencën për shtyp, Bejkova.

Ajo ka thënë se Komisioni zgjedhor shtetëror dhe Këshilli për radiodifuzion janë shumë pak të përfaqësuar mes burimeve të informatave, gjë që, siç theksoi, tregon në mosinteresimin e medieve për vet procesin zgjedhor dhe transferimin e peshës në garën partiake parazgjedhore. Bejkova ka shtuar se po mbulohet fushata, po jo edhe oferta politike dhe se mediet e ndjekin dhe komentojnë axhendën e partive politike. Lidhur me mbulimin tematik në kontekst të zgjedhjeve, ajo ka thënë se janë të pavërejtura.

“Temat thelbësore siç janë NATO/BE, kontesti me emrin, ekonomia kanë pothuaj përfaqësim të pavërejtur në strukturën tematike të mediave. Më së shumti janë të përfaqësuara temat lidhur me aktivitetet zgjedhore. Krahas kësaj, niveli i lartë i kronikave kushtuar dhunës eventuale zgjedhore krijojnë atmosferë të tensionuar dhe brengosje për rregullsinë e procesit zgjedhor”, ka thënë Bejkova. Në aspekt të standardeve profesionale në informimin për zgjedhjet dhe aktivitetet zgjedhore, në analizën u konstatua përqindje e lartë e materialeve të panënshkruara gazetareske. Në mediet e shtypura një e treta nga tekstet nuk kanë autorë, ndërsa në ato elektronike mbi një të katërtën. Në informimin për zgjedhjet, gazetarët më së shpeshti në mënyrë precize i publikojnë burimet e informatave, por në shumicën e rasteve bëhet fjalë për informata nga një burim ose nga më shumë burime të ngjashme.