Shkup – Në mes kandidatëve të partive politike për deputet të ardhshëm në Parlament, 11 prej tyre dyshohen të kenë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete. Nga Komisioni për verifikimin e fakteve (KVF) kanë lajmëruar se në mesin e të dyshuarve ka nga të gjitha partitë politike, duke përfshirë ata në pozitë dhe opozitare, nga radhët e maqedonasve dhe shqiptarëve. Sipas analistëve, prania eventuale e kodoshëve në radhët e atyre që synojnë të mbajnë pozitat e përfaqësuesve të popullit është padyshim një lajm i keq si për qytetarët ashtu edhe për partitë të cilat në radhët e tyre kanë të infiltruar spiunë me dije apo pa dije të tyre. Ata thonë se në këtë rast mosbesimi ndaj partive dhe procesit zgjedhor rritet dhe është thelbësisht e rëndësishme që KVF të ketë qasje joselektive dhe të kryejë punën në mënyrë profesionale pa ndikime të politikës.
Analisti Albert Hani është i mendimit se situata e fundit me indikacionet e reja për kodoshët e mundshëm, tregojnë qartë se te ne ende ambiciet personale i tejkalojnë ideologjitë nacionale dhe interesat partiake.
”Zgjedhjet parlamentare janë mundësi e mirë për ta limituar qasjen e bashkëpunëtoreve dhe spiunëve në sistemin e ri të shtetit. Duke mos e bërë këtë filtrim, ne japim mundësi edhe njëherë t’i legjitimojmë keqbërjet e tyre në të kaluarën, t’i amnistojmë pa e ditur se kanë bërë dëme për popullin e vet. Parlamenti, si duket, ende shihet si vend ku nën ombrellën e imunitetit si deputet, fshihen ende keqbërës të sistemit të kaluar”, ka thënë Hani.
Ai është shprehur pesimist për rrjedhën e suksesshme të procesit, sepse sipas tij, deri më tani lustrimi ka dështuar disa herë.
”Lustrimi dështoi njëherë kur supozohej se shumica ishin bashkëpunëtor, dështoi edhe kur u shpërndanë dosjet, do të dështojë sërish kur supozohet se vetëm 11 persona i kanë përmbushur kriteret për lustrim”, vlerëson Hani.
Nga ana tjetër, për profesoreshën e shkencave politike Mirjana Malevska, edhe pse procesi i lustrimit ka filluar shumë vonë në Maqedoni, ai do të ketë sukses vetëm nëse KFV-ja mbetet jashtë politikës.
”Vetë ideja se në përbërjen e parlamentit të ardhshëm tentojnë të jenë ish bashkëpunëtor të UDB-së, nuk është ndjenjë e mirë dhe krijon mosbesim tek qytetarët si votues dhe padyshim ul rejtingun e partive. Konfuzionin që krijohet mund ta largojë vetëm puna e mirëfilltë e Komisionit për verifikimin fakteve, e cila padyshim duhet të jetë e paanshme dhe objektive madje sa më shpejtë të kryejë punën e vetë para zgjedhjeve që e tërë kjo të ketë efekt”, deklaroi Malevska. Ndërkaq, sipas kryetari të KVF-së, Tome Axhiev ditëve të ardhshme do të punohet me procedurë urgjente për të verifikuar dosjet e kandidatëve që më së shpejti para 5 qershorit të dalin me vendim për tërheqjen e tyre nga listat nëse eventualisht vërtetohet se ata kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete.
”Të dyshuarit vijnë nga të gjitha partitë dhe ka edhe maqedonas edhe shqiptarë. Komisioni është njoftuar nga Drejtoria për Sigurim dhe Kundërzbulim (DSK) dhe Arkivi Shtetëror se 11 kandidatë për deputet, që për herë të parë kandidojnë, kanë qenë dhe ka dokumente se kanë shërbyer për shërbime sekrete në të kaluarën. Tash është punë e jona që t’i vërtetojmë të dhënat që i kemi në duar, shpresojmë deri më 5 qershor, por do të shohim si do të rrjedhë puna”, thotë Axhiev. Sipas tij, nëse vërtetohet bashkëpunimi i kandidatëve me shërbimet sekrete, do të njoftohet Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), ndërsa ata nuk do të kenë të drejtë të mbajnë pozitën e deputetit. Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi ka thënë se tani për tani ky komision nuk ka kompetenca të ndërmerr masa, por do të presin të dhënat zyrtare të KVF-së.
“I tërë procesi mendoj se do të zgjatë 3 deri 4 muaj. KVF-ja do të duhet të dorëzojë të dhënat zyrtare deri tek Parlamenti i ardhshëm dhe më tej të veprohet sipas ligjit, gjegjësisht Kodit Zgjedhor. Nëse eventualisht del që një kandidat është kodosh, vendin e tij do të duhet ta zë kandidati tjetër pas tij”, theksoi Jakupi.
Ndryshe, përveç votave të mjaftueshme nga elektorati, lustrimi është kushti plotësues që duhet ta kalojnë për të hyrë në Parlament. Sipas informatave zyrtare, në listat e partive politike gjenden rreth 1. 500 kandidatë për deputetë.
Deri tani në Maqedoni janë lustruar mbi 1.000 funksionarë aktual dhe të mëhershëm, prej të cilëve bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete janë shpallur ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendavil Ivanovski dhe anëtari i këshillit të Qytetit të Shkupit, Nikolla Ugrinovski.
Friday, 27 May 2011 21:17