Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 17:47

Shkup – Tridhjetë parti politike dhe koalicione në gjysmë të fushatës zgjedhore, deri mesnatën e të premtes kanë dorëzuar raporte financiare deri te institucionet kompetente, në të cilët pa përjashtim figurojnë donacione të vogla edhe atë vetëm nga qytetarët. Asnjë parti, si donator nuk ka cekur firmë më të madhe. Ndërkohë, partia qeverisëse shqiptare BDI në raportin e vet ka cekur se në dhjetë ditët e kaluara të fushatës, ka harxhuar 71, 184 mijë euro prej të cilave vetëm nga qytetarët kanë siguruar 19, 000 euro. BDI-ja, vetëm për reklama ka harxhuar 60, 000 euro. Në mesin e personave që kanë dhënë të holla, qëndron edhe vet emri i liderit Ahmeti. Ahmeti për partinë e tij ka dhënë 900 euro, por rekorder në BDI janë Talat Xhaferi dhe Adnan Jashari me nga 5000 euro. Edhe tek partitë tjera shqiptare, është simptomatike ajo që shumat janë të vogla. Për shembull PDSH-ja e Menduh Thaçit, me anë të donacioneve nga persona fizik, të cilët njëkohësisht janë të vetmet të holla për fushatën zgjedhore, të hyra në parti kanë siguruar 10 mijë euro. Për reklamim dhe propagandë ka harxhuar 11, 608 euro, ndërsa për huazim të pajisjeve pothuajse 5, 000 euro. Kështu, Menduh Thaçi, Merale Ferati dhe udhëheqës tjerë nga PDSH-ja kanë donuar nga 1000 euro. Nga ana tjetër, Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit, të vetmet të holla me të cilat disponon janë atë të cilat i ka tërhequr nga llogaria e partisë edhe atë në vlerë totale prej 15, 500 euro. Partia deri më tani ka harxhuar 15 mijë euro. Pjesa më e madhe e të hollave, Osmani i ka dhënë për publikimin e shpalljeve nëpër gazeta edhe atë 7, 800 euro, përderisa për reklamim televiziv ka dhënë 3, 300 euro. Kjo është e vetmja parti deri më tani që në raportin e vet i ka dorëzuar edhe faturat, me të cilat i kanë paguar shërbimet e tyre. Partia qeverisëse VMRO-DPMNE në raportin e vet ka cekur 130 emra të personave, të cilët janë anëtarë partiak që dhjetë ditë e fundit i kanë dhënë partisë nga 1. 000 euro, por nuk kanë shkruar se prej nga i kanë edhe 1, 5 milionë euro, pasi që në dhjetë ditët e para kjo parti ka harxhuar 1, 67 milion euro?! Në mënyrë jo korrekte VMRO-DPMNE-ja është sjellë qysh nga fillimi i fushatës. Ajo për dallim nga partitë tjera, ka harxhuar dhjetë herë më shumë. Pjesë më e madhe e të hollave janë harxhuar për reklama dhe propagandë edhe atë pothuajse 1, 4 milion euro, për publikimin e shpalljeve nëpër gazeta janë harxhuar 142 mijë euro, për shërbime komunikime, në të cilën hyn edhe internet – fushata e partisë , janë harxhuar 33 mijë euro. VMRO-DMPNE-ja gjatë dhjetë ditëve të para ka bërë edhe disa punësime të përkohshme në parti, për të cilat deri më tani ka paguar 7, 800 euro. Nga ana tjetër LSDM-ja, në gafën se nga i ka siguruar të hollat për fushatën zgjedhore, shkurtë ka shkruar se ka marrë kredi prej 15 milionë denarë nga “Komercijalna Banka”, respektivisht 243 mijë euro. Partia e Branko Cërvenkovskit në gjysmën e fushatës zgjedhore ka harxhuar 162 mijë euro. Raportet periodike financiare për dhjetë ditë janë risi në këto zgjedhje. Dorëzimi i raporteve duhej t’i detyron partitë më transparente të tregojnë se prej nga i kanë të hollat gjatë fushatave zgjedhore. Raportet janë të dorëzuara deri tek Enti për revizion, komisioni i antikorrupsionit dhe deri tek Komisioni zgjedhor shtetëror. Partitë deri në zgjedhjet do të duhet të dorëzojnë edhe nga një raport të tillë.