Tetovë – Karvani i Demokracisë së Re ka vazhduar rrugëtimin e vet nëpër lagjet e Reçicës së Madhe, Reçicës së Vogël dhe Çarshisë së Epërme në Tetovë, ndërsa mbajti një tubim madhështor në Bërvenicë, ku morën pjesë një numër i madh i të pranishmëve.
Para simpatizantëve të shumtë të kësaj partie foli kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani dhe bartësi i listës për deputet, i njësisë zgjedhore numër 6, Kastriot Haxhirexha. Selmani ka thënë se Reçica e Madhe, si edhe të gjitha vendbanimet e kësaj ane, e kanë dhënë provimin e atdhetarisë në vitet më të vështira kur filloi demokratizimi i Maqedonisë. Më tej ai shtoi se në këto treva u vunë themelet e Universitetit të Tetovës që e mbajtën gjallë më së shumti mërgimtarët tanë të kësaj ane me kontributet e tyre.
“Sot kemi ardhur mes banorëve që më së miri e kanë ndjerë peshën e betejës për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë. Duke e ditur numrin e madh të mërgimtarëve të këtushëm, duke e ditur se ky shtet donë ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve të Maqedonisë, ne kundërshtuam ligjin për regjistrim. E kundërshtuam, sepse ne e dimë se në shtetet perëndimore rritet gjenerata e tretë e mërgimtarëve tanë, por të cilëve Maqedonia u takon sa cilitdo tjetër që jeton këtu. Sot, patriotizëm mbi cilindo patriotizëm tjetër është, që përmes koncepteve politike dhe ekonomike, të mundësosh të kthehen në vendlindje të rinjtë që janë shkolluar e kanë specializuar në shtetet perëndimore. Sot, për popullin e vet, bëjnë më shumë ata që do i kthejë me mijëra të rinjtë tanë, që kanë kryer studime nëpër universitetet më të njohura të Evropës dhe Amerikës”, ka thënë Selmani. Ndërsa, bartësi i listës për deputet, i njësisë zgjedhore numër 6, Kastriot Haxhirexha, theksoi se Demokracia e Re në Programin e saj ka hartuar projekte dhe koncepte si të dilet nga kriza ekonomike.
“Një ndër arsyet pse nuk zhvillohen komunat e pjesë Jugperëndimore të Maqedonisë është mosinvestimi nëpër vendbanimet e kësaj ane. Që të realizohet kjo, Demokracie e Re do të angazhohet për decentralizim më të gjerë të kompetencave nëpër komuna, nëpërmjet kthimit të Tatimit personal, në 30% (aktualisht 6%), kthimin e TVSH-së në 6% (aktualisht 3%), fokusimin e investimeve nga komunat urbane në komunat rurale, të cilat janë shumë mbrapa me investimet kapitale si dhe delegimin e më shumë kompetencave të dhënies së licencave të ndryshme tek investitorët e interesuar në formën e procedurave më të reduktuara”, ka thënë Haxhirexha
Friday, 27 May 2011 17:29